Eksporti i bimëve mjekësore nga Shqipëria: Një sektor me potencial të lartë në tregjet e BE-së dhe SHBA-së

Jul 09, 2024 .

Eksporti i bimëve mjekësore nga Shqipëria: Një sektor me potencial të lartë në tregjet e BE-së dhe SHBA-së

Shqipëria shquhet për prodhimin dhe eksportin e bimëve mjekësore dhe aromatike, një sektor që ka një vlerë të shtuar në ekonominë bujqësore të vendit. Aktualisht, mbi 330 lloje bimësh mjekësore kultivohen dhe tregtohen jashtë vendit, duke u eksportuar kryesisht në vendet e Bashkimit Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Bimët mjekësore dhe aromatike: Një pjesë e rëndësishme e eksporteve bujqësore

Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural bën të ditur se, në periudhën janar-tetor 2024, eksportet e bimëve mjekësore u rritën me rreth 14%. Ndërsa totali i eksporteve bujqësore për 10-mujorin 2024 regjistroi një rritje prej 18.8% krahasuar me të njëjtën periudhë një vit më parë. Totali i eksporteve bujqësore në sasi arriti në 386,795.39 ton, duke arritur vlerën e 43.05 miliardë lekëve.

MBZHR bën të ditur se, sektori i bimëve mjekësore vijon të japë një ndikim të rëndësishëm socialo-ekonomik, si në rritjen e punësimit por edhe sigurimin e të ardhurave ekonomike të larta nga eksportet e këtyre bimëve, që janë shumë të kërkuara në tregjet me vlerë të shtuar. Më shumë se 400 specie janë identifikuar si bimë mjekësore dhe aromatike të florës shqiptare, nga të cilat më shumë se 200 specie mblidhen dhe tregtohen

5587

Sherbela, lideri i eksporteve shqiptare

Sipas të dhënave të Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, një nga produktet më të kërkuara nga tregjet e huaja është sherebela shqiptare, e cila përfaqëson 66% të importeve amerikane të kësaj bime. Ky produkt, i cili fillimisht eksportohej si lëndë e parë, tashmë po dërgohet gjithnjë e më shumë edhe si produkt përfundimtar i përpunuar, duke rritur ndjeshëm vlerën e eksporteve. Përveç SHBA-së, 33% e eksporteve shqiptare të bimëve mjekësore drejtohen në Gjermani, Francë, Itali dhe tregje të tjera, madje deri në Australi.

Një industri me ndikim të madh ekonomik dhe social

Eksporti vjetor i sherebelës drejt SHBA-së varion nga 3,800 deri në 4,900 tonë, me një vlerë prej rreth 12 milionë dollarë. Përveç sherebelës, në tregjet e huaja eksportohen edhe bimë të tjera të njohura si rigoni, trumza, dëllinja e zezë dhe esencat e ndryshme aromatike, të cilat janë të përdorura gjerësisht në industrinë ushqimore dhe farmaceutike.

Ky sektor punëson mbi 90,000 persona në Shqipëri, nga të cilët 10% janë të angazhuar drejtpërdrejt në kultivimin e bimëve, duke shfrytëzuar një sipërfaqe prej mbi 6,000 hektarë. Përveç punësimit dhe zhvillimit rural, ky sektor po njeh edhe rritje të investimeve në përpunimin e bimëve mjekësore, duke ndihmuar në shtimin e vlerës së produkteve shqiptare në tregjet ndërkombëtare.

Sfida dhe perspektiva për të ardhmen

Ndërsa industria e bimëve mjekësore vazhdon të rritet, sfidat e saj mbeten të lidhura me cilësinë, certifikimin dhe standardet e BE-së dhe SHBA-së, si dhe nxitjen e investimeve në teknologji për rritjen e kapaciteteve të përpunimit. Me politikat e duhura mbështetëse dhe zhvillimin e teknologjive moderne, Shqipëria ka potencialin të rrisë më tej pjesëmarrjen e saj në tregjet globale të bimëve mjekësore, duke u shndërruar në një aktor kryesor në këtë industri.